Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë reaguar pas njoftimit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta marrë vaksinën antiCOVID.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi shkroi në Facebook se kryeministri Kurti do të duhej të punonte për ta siguruar vaksinën antiCOVID, e jo ta merrte i pari vaksinën.
“Në shumë vende të botës, liderët politikë e kanë marrë të parët vaksinën për t’i dëshmuar shoqërisë se vaksina anti-covid nuk është e rrezikshme, duke u dhënë shembull qytetarëve të atij vendi. Rasti i Kosovës është e kundërta. Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë. E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë. Me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë. Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira”, shkroi Kurti në Facebook.
E Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate thotë se Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit.
“Albin Kurti nuk ka asnjë arsye që të vaksinohet. Ai e ka kryer virusin, ndërkohë që Kosova ka marrë një numër jashtëzakonisht të vogël të vaksinave anti-Covid. Liderë të ndryshëm botërorë janë vaksinuar, ndër të tjera për të bindur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. Por ky kontigjent i vaksinave nuk është për vaksinim masiv. Është për punëtorët e shëndetësisë, të cilët s’kanë nevojë ta shohin Albin Kurtin tek vaksinohet, për t’u bindur që ta marrin vaksinën. Albin Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit. Po vaksinohet, ashtu siç në qeverinë e tij të parë, ai dhe i gjithë stafi i tij i bënë testet para të gjithë qytetarëve të tjerë. Albin Kurti do që të tregojë që jeta më e rëndësishme në këtë vend, është jeta e tij, edhe kur kjo nuk është në rrezik. Edhe kur duhet t’ia rrezikojë jetën ndonjë qytetari tjetër që nuk do të marrë vaksinën që po e hargjon sot Albin Kurti”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri Kurti pritet që sot në orën 16:30 ta marrë vaksinën AstraZeneca nga kontigjenti i vaksinave që kanë arritur mbrëmë, nga programi COVAX.
Ndërkohë që po bëhen përgatitje për procesin e vaksinimit, e që pritet të fillojë nesër në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori”, kurse në komuna të enjten ose premten e kësaj jave./UBTNews