Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari që të ftojë pa vonesa vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se mandati u është dhënë nga populli dhe se prania e tyre bëhet për të mbrojtur kushtetushmërinë e për të funksionalizuar Kuvendin. Ai paralajmëroi vazhdim të aktiviteteve politike dhe hapa të tjerë nëse shteren mundësitë brenda këtij institucioni, si dhe kërkoi reagim nga qytetarët. Përmes një letre drejtuar kryesuesit, PDK-ja theksoi se edhe pse ka kaluar afati 30-ditor, detyrimi për të përfunduar procesin konstituiv mbetet i domosdoshëm.
Sjellja e opozitës vjen në një kohë tensoimesh politike, pasi në vazhdimin e seancës së fundit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për negociata rreth çështjes së presidentit, çka nxiti edhe reagimin e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila gjuajti me vezë në drejtim të tij.
PDK dhe AAK kanë refuzuar takimet me Kurtin. Më tej, negociatat mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas katër takimeve mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje. Ndonëse Vetëvendosje ka numrat me pakicat për të formuar Qeverinë, Kurti ka deklaruar se pa zgjidhjen e çështjes së presidentit — që kërkon kuorum prej 80 deputetësh — vendi pashmangshëm do të shkojë në zgjedhje të reja. /E.A/
