Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish sot Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Kërkesa zyrtare është dorëzuar nga deputetët e këtij subjekti politik, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë në tërësi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë votimit në Kuvend.
Sipas përfaqësuesve të PDK-së, mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe hapat e ndërmarrë menjëherë pas tij përmbajnë shkelje seriosaze kushtetuese. Nga partia më e madhe opozitare janë shprehur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shkelur afatet kushtetuese me qëllim gjatë këtij procesi.
Kjo lëvizje e PDK-së vjen vetëm një ditë pasi ky subjekt politik dërgoi një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhej me procedurën e konstituimit të legjislaturës së 11-të ku u zgjodh kryetarja dhe katër nënkryetarët e Kuvendit procedurë kjo që i hap rrugë edhe votimit të kabinetit të ri qeveritar. /Ekonomia online/
