UBT News

PDK dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të menjëhershme të përkohshme

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave dhe vendimeve që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa është dorëzuar fizikisht nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Përmes këtij hapi, opozita konteston zyrtarisht tri vendime të ditëve të fundit: vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimin e 13 shtatorit që shpallte të konstituar Legjislaturën XI. PDK kërkon nga Gjykata që t’i vlerësojë këto procese dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve që pretendohet se janë bërë.

Gjatë dorëzimit të lëndës, përfaqësuesit e PDK-së deklaruan se ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur renditjen kushtetuese nga kalkulimet politike. Arian Tahiri theksoi se institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës duhet ta thotë fjalën e vet përfundimtare, ndërsa deputeti Përparim Gruda shtoi se rregullat në Kosovë duhet t’i përcaktojë Kushtetuta dhe jo vullneti i një partie politike.

Krahas kërkesës kryesore, avokati Faton Fetahu bëri me dije se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë menjëherë një masë të përkohshme. Kjo masë synon pezullimin e pasojave të mëtejshme juridike dhe parandalimin e krijimit të fakteve të reja institucionale derisa të merret një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të dërgojë në Kushtetuese edhe një lëndë tjetër të veçantë, e cila ka të bëjë me procesin e formimit të Qeverisë. /E.A/

 

Exit mobile version