UBT News

Pavarësisht rasteve me COVID, nxënësit izraelitë nisin mësimin në shkolla

Nxënësit izraelitë e nisën mësimin në shkolla të mërkurën, të detyruar që të përdorin maska dhe të testohen për Covid-19 me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit.

Zyrtarët shëndetësorë janë të shqetësuar se fillimi i vitit të ri shkollor me shumicën e nxënësve në shkolla do ta zgjerojë edhe më shumë valën e virusit para sezonit të festave çifute, duke e bërë potencialisht të nevojshëm një izolim të ri mbarëkombëtar.

Numri i rasteve me Covid-19 në Izrael është rritur shumë që nga paraqitja e variantit Delta, duke arritur në nivel rekord të martën me 10.947 raste për 24 orë, shkruan Reuters.

Nën atë që mediet po e quajnë “politikë e të jetuarit me Covid”, Kryeministri Naftali Bennett ka kërkuar që viti i ri shkollor të fillojë me mësim fizik, pjesërisht duke e shtuar nivelin e vaksinimit dhe duke e kërkuar testin për Covid për nxënësit dhe mësuesit e pavaksinuar.

Sidoqoftë, në zonat me shkallë shumë të lartë të infeksioneve, shkollat ku më pak se 70 për qind e nxënësve janë të vaksinuar duhet të zhvillojnë mësim nga distanca. Sipas një faqeje izraelite të lajmeve, rreth 10 për qind e nxënësve izraelitë do ta ndjekin mësimin online të mërkurën.

Exit mobile version