Sulmuesi brazilian Alexandre Pato ka thënë se ëndërron të kthehet në Milan dhe beson se ai dhe Zlatan Ibrahimovic do ta formonin një dyshe sulmuese madhështore.
31-vjeçari është pa klub që prej se u lirua nga Sao Paulo verën e kaluar dhe tani e pranon se ëndërron të kthehet në San Siro.
Pato i kaloi gjashtë sezone në Milan, nga viti 2007 deri në vitin 2013.
“Kam kujtime të mira, bëhet fjalë për 150 ndeshje, 63 gola, një titull në Serie A dhe një në Superkupën e Italisë”, tha Pato.
“Do të ishte ëndërr nëse do të kthehesha në Milan, të cilin e kam në zemër”, shtoi ai.
I pyetur nëse do të pranonte të ishte zëvendësues i Ibrahimovicit, Pato këmbënguli se do të mundë të luante bashkë me suedezin.
“Do të thosha po, nuk ka problem. Por sepse nuk do të isha zëvendësues i tij. Do të luaja, sepse dy ndeshje do të mjaftonin për ta bindur trajnerin. Mbase mund të luajmë së bashku. Do të ishim një dyshe madhështore”, nënvizoi ai.