UBT News

Pasuria letrare e shpërblen Xhevahir Spahiun për ‘Një mijë dashuri’

Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi, dhe Rovena Rrozhani janë autorë të cilët kanë fituar fond nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për të mbështetur veprat e tyre për botim.

Xhevahir Spahiu u shpall fitues i “Fondit të Krijimtarisë Letrare” me librin e tij “Një mijë dashuri”. Juria vlerësoi se poezitë e tij shpalosin bukurinë e jetës përmes një gjuhe estetike dhe fëminore, e cila është e pasur me muzikalitet dhe figurshmëri. Libri trajton tema të ndryshme nga historia kombëtare deri te natyra dhe jeta fëminore, duke sjellë ndjesi të prekshme dhe vlera njerëzore.

Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani fituan “Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë”. Rudina Çupi u shpall fituese me librin “Ë-Ngrënësi dhe Ë-Vënësi”, i cili kombinon rrëfimin dhe edukimin gjuhësor për fëmijë nëpërmjet një ligjërimi të pasur dhe ilustrime tërheqëse. Libri kënaq dhe edukon, duke nxitur dashurinë për gjuhën shqipe tek lexuesit e vegjël.

Rovena Rrozhani u shpall fituese për librin e saj “Hana, vajza që kapi diellin”. Vepra përshkruan historinë frymëzuese të një vajze që triumfon mbi sfidat, duke e bërë udhëtimin e saj emocional një burim frymëzimi për lexuesit e vegjël. Gjuha e zgjedhur dhe ilustrimet dinamike nxisin imagjinatën dhe kënaqësinë e leximit, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlerësohet se këto mbështetje shënojnë një sukses të rëndësishëm për autorët në fushën e krijimtarisë letrare dhe përmbushin qëllimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të mbështetur dhe promovuar veprat e vlerësura letrare./UBTNews/

 

Exit mobile version