FBI është angazhuar në hetimin e shitjes së qindra thesareve të dyshuara të vjedhura nga Muzeu Britanik dhe të shitura blerësve amerikanë. BBC kupton se agjencia amerikane e zbatimit të ligjit ka ndihmuar gjithashtu me kthimin e 268 artikujve që muzeu pretendon se i përkasin dhe që ishin shitur një koleksionisti në Uashington DC. Muzeu Britanik njoftoi vitin e kaluar se xhevahiret e lashta, bizhuteritë dhe sende të tjera nga koleksioni i tij mungonin, ishin vjedhur ose dëmtuar.
Një blerës nga New Orleans i tha BBC-së se një agjent i FBI-së i kishte dërguar një email duke i kërkuar informacion për dy pjesë që ai kishte blerë në eBay. Agjenti i FBI-së shpjegoi se ata po ndihmonin Policinë Metropolitane në hetimin e sendeve të humbura ose të vjedhura nga muzeu. Blerësi deklaroi se nuk kishte më asnjë nga perlat dhe nuk beson se ato janë gjetur nga autoritetet. Deri më tani, FBI nuk ka kërkuar informacione të mëtejshme prej tij.
Muzeu Britanik thotë se deri më tani janë gjetur 626 objekte nga 1500 që vlerësohet se janë vjedhur ose zhdukur. Shumica dërrmuese e këtyre objekteve nuk janë kataloguar dhe muzeu është ende në proces të verifikimit të origjinës së tyre. Kjo përfshin edhe pranimin e objekteve nga koleksionistët që pranojnë t’i dhurojnë për vlerësim.
Një kurator i lartë, Peter Higgs, akuzohet nga Muzeu Britanik për vjedhje, dëmtim, shkrirje dhe shitje të objekteve të lashta. Ai i mohon të gjitha akuzat. Muzeu pretendon se Dr. Higgs ka përfituar rreth 100,000 £ nga vjedhjet. Dokumentet gjyqësore tregojnë se Dr. Higgs dyshohet se ka vjedhur dhe shitur sende për të paktën një dekadë, kryesisht sende të paregjistruara nga depot e muzeut, përmes llogarisë së tij në eBay me emrin “sultan1966”.
Një blerës nga New Orleans, Tonio Birbiglia, konfirmoi se kishte blerë dy artikuj nga “sultan1966”. Muzeu Britanik nuk ka ekzaminuar ende këto objekte për të përcaktuar nëse ato janë nga koleksioni i tij. Blerësi tha se ishte i tronditur kur FBI e kontaktoi atë dhe se nuk mban mend asgjë rreth gurëve të çmuar. Megjithatë, FBI nuk ka ndjekur më tej çështjen me të.
FBI ka ndihmuar gjithashtu me hetimin e 268 artikujve të shitur në zonën e Uashington DC nga i njëjti shitës. Një burim i afërt me një nga blerësit i tha BBC-së se ai bleu artikuj nga “sultan1966” përmes eBay dhe emailit, duke paguar deri në 7,000 £ për artikujt. Shitësi përdorte emrin “Paul Higgins” gjatë transaksioneve.
Tregtari danez i antikiteteve, Dr. Ittai Gradel, i cili i pari paralajmëroi muzeun për vjedhjet, ka gjurmuar artefaktet që u janë shitur blerësve në disa qytete, përfshirë Hamburgun, Këlnin, Parisin dhe Hong Kongun. Disa prej gurëve të çmuar që ai bleu vetë më pas u ekspozuan në muzeun Deutsches Edelstein në Gjermani. Një perlë mendohet të jetë një kokë e rrallë e shekullit të 2-të e heroit grek Herkulit, e bërë nga obsidiani, një lloj xhami vullkanik.
Muzeu Britanik është ende në proces të verifikimit të origjinës së objekteve të kthyera dhe po vazhdon përpjekjet për të gjetur dhe rikthyer më shumë artefakte të humbura nga koleksioni i tij./UBTNews/
Përktheu nga BBC, Dionesa Ebibi