UBT News

Pashk Gjeçi, shqipëruesi i madh i kryeveprave të letërsisë botërore

Më 20 janar 2010, Shqipëria humbi njërin nga figurat më të ndritura të kulturës dhe letërsisë: Pashk Gjeçin, përkthyesin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Ai lindi në Shkodër më 7 shtator 1918, në një familje që i dha formim klasik dhe frymëzim intelektual. Arsimin e tij e nisi në gjimnazin jezuit të qytetit, ku zotëroi gjuhët italisht, greqisht të vjetër dhe latinisht. Talenti i tij doli në pah që herët, kur ende si nxënës përktheu poezitë e Xhakomo Leopardit.

Në vitin 1938, me mbështetjen e pjesshme të qeverisë shqiptare, ai nisi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë, ku shpejt u dallua për zellin dhe përkushtimin ndaj letërsisë klasike. Në vitin 1942, Gjeçi u nderua me titullin “doktor” në letërsi, duke hyrë në elitën e studiuesve dhe përkthyesve shqiptarë. Por kthimi i tij në atdhe nuk ishte i lehtë. Për shkak të akuzave politike, ai kaloi pesë vite në burg, një periudhë që, megjithatë, nuk e thyu shpirtin e tij krijues.

Pas lirimit, Gjeçi iu kushtua plotësisht përkthimeve, duke sjellë në shqip kryeveprat më madhore të letërsisë botërore. Përveç “Komedisë Hyjnore”, ai përktheu “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes dhe “Hamletin” e Shekspirit, duke ngritur lart traditën shqiptare të përkthimeve. Përkthimi i tij i “Komedisë Hyjnore” u vlerësua ndërkombëtarisht nga Shoqata Italiane “Dante Alighieri” si një nga më të mirët në botë. Për këtë arritje të jashtëzakonshme, në vitin 2004, presidenti italian Carlo Azeglio Çampi e dekoroi me titullin prestigjioz “Ordine della Stella, della solidarietà italiana”.

Trashëgimia e Pashk Gjeçit mbetet një monument i gjallë i pasurisë kulturore të Shqipërisë, një pasuri që lidh popullin shqiptar me thesaret e letërsisë universale./UBTNews/

Exit mobile version