Sulmuesi brazilian, Endrick Felipe, është në prag të një largimi të mundshëm nga Real Madridi, vetëm dy muaj pas transferimit të tij të bujshëm në “Bernabeu”. Sipas raportimeve nga gazeta spanjolle “AS”, 18-vjeçari është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e largimit nëse nuk arrin të sigurojë minuta të mjaftueshme në këtë sezon.
Endrick, i ardhur nga Palmeiras për një shumë prej rreth 60 milionë eurosh, përfshirë bonuset, ka pasur një fillim të ngadaltë në Madrid. Deri tani, ai ka qenë vetëm një opsion rezervë në skuadrën e Carlo Ancelottit, sidomos pas transferimit të Kylian Mbappé në “Bernabeu”.
Gazetat spanjolle raportojnë se Endrick ka nisur të shqyrtojë mundësinë e një huazimi në një klub tjetër për të ruajtur formën e tij dhe për të fituar më shumë minuta loje. Ky hap do t’i ndihmojë të mbajë mprehtësinë dhe të zhvillohet si lojtar, deri në momentin kur të jetë gati për të marrë një rol më të rëndësishëm në formacionin e Los Blancos.
Sidoqoftë, ndonëse situata aktuale duket e paqartë për Endrick, lajmi i mirë është se Real Madridi ka një kalendar të ngjeshur me 60 ose më shumë ndeshje për këtë sezon. Kjo ofron mundësi për të gjithë lojtarët e skuadrës që të kenë mundësi për të luajtur dhe për të kontribuar në objektivat e klubit.
Nëse Endrick vendos të largohet, një huazim do të mundësojë që ai të fitojë eksperiencë të vlefshme dhe të kthehet në Madrid me më shumë përvojë dhe pjekuri për të sfiduar për një vend në formacionin titullar./UBTNews/