UBT News

Pas urdhrit të Putin, mjete luftarake dhe tanke shihen në Donetsk

Një video e publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters tregon momentin kur një autokolonë me mjete të rënda ushtarake dhe tanke kalon në periferi të Donetskut të martën, në orët e para të mëngjesit. Edhe pse sipas dëshmitarëve okularë, mjetet nuk kishin shenja dalluese, parakalimi i tyre vjen vetëm pak orë pas urdhrit të Presidentit rus, Vladimir Putin, për të futur trupa në Donetsk dhe Luhansk.

Rusia njohu zyrtarisht pavarësinë e dy “Republikave Popullore” të cilat duan të shkëputen nga Ukraina. Sipas Putin, ushtarët rusë do të futen aty pas nënshkrimit të traktateve me këto dy entitete, për të mbrojtur nga gjakderdhja popullsinë ruse që ndodhet aty. Më herët, Putin ka akuzuar Ukrainën se po kryen gjenocid në këto territore.

Vendimet e Putin, të marra pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë në Moskë, u kundërshtuan nga Perëndimi. Disa shtete, paralajmëruan vendosjen e sanksioneve, pasi i druhen se ky është vetëm fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës.

Pas këtyre zhvillimeve, zbehen mundësitë e samitit Biden-Putin, një ide e hedhur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Sidoqoftë, takimi i paralajmëruar mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, nuk është anuluar ende.

Exit mobile version