UBT News

Pas tetë viteve kuqezinjtë rikthehen fuqishëm në Evropë

A.C.Milan lojën e fundit të sezonit në Serie A e zhvilloi kundër ekipit të Atalantas në transfertë. Tre pikët e kësaj ndeshjeje kryesore ishin vendimtare për ekipin “Rossoneri” që siguroi një vend në garën më të fortë të klubeve evropiane.

Kuqezinjtë fituan me rezultat 2-0, nga një dy golësh i mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, Frank Kessie, i cili realizoi dy herë nga penalltia. Kjo fitore e pozicionoi gjigandin italian në vendin e dytë me gjithsej 79 pikë (pozicioni më i lartë që nga viti 2013). Dy vendet e fundit për hyrjen në Ligën e Kampionëve i siguruan Atalanta dhe Juventusi, ndërsa Napoli u ndal pas barazimit 1-1 me Veronën duke humbur shancin për kualifikimin në Champions.

Historia e A.C.Milan në Ligën e Kampionëve përgjatë viteve

A.C.Milan është klubi i dytë me më së shumti tituj kampioni të fituar në Evropë me gjithsej shtatë kupa të ngritura. Për herë të fundit kuqezinjtë kishin ngritur titullin prestigjioz në vitin 2007 pas fitores 2-1 ndaj Liverpool FC në Athinë. Përgjatë viteve ata kanë pasur ulje dhe ngritje në formulimin e ekipit. Menaxhimi i dobët i klubit shkaktoi humbje të mëdha parash si dhe mungesën e rivalitetit për të sfiduar zonat Champions si dhe klubet e tjera.

Gjashtë herët e tjera klubi ka fituar Ligën e Kampionëve në vitet 1963, 1969, 1989, 1990, 1994, 2003.

Lojtarët e Milanit festojnë titullin kampion të fituar në vitin 2007

Cilat janë objektivat e klubit për sezonin e ardhshëm?

Milan do të synojë të luftojë për titullin në Serie A në sezonin 2021-2022. Kuqezinjtë kanë ekipin e tyre më të mirë ndër vite me shumë lojtarë të rinj të cilët janë të vendosur për të shkruar histori.

Trajneri Stefano Pioli ka bërë të qartë se ekipi është gati të përballet me çdokënd, si dhe të tentojë të arrijë fazat eliminatore në Champions. Ai ka bërë të ditur se lojtarët kryesorë nuk janë në shitje, ndërkaq ka mirëpritur mundësinë për blerje të reja.

Milan tani po kalon momentet më të mira prej kohës kur së fundi fitoi titullin kampion në Serie A në vitin 2011. Ata sërish duken një ekip i frikshëm, që askush nuk do të dëshironte të përballej./UBTNews

(Arbnora Pllana, Florinda Kelmendi, Ulis Hamiti, studentë të vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version