Kanë nisur xhirimet e filmit të ri artistik me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, e njohur për suksesin ndërkombëtar të filmit “Zgjoi”.
Producentë të projektit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio (Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film (Zvicër), si dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions (Francë).
Xhirimet kanë filluar më 4 tetor dhe do të zgjasin deri më 19 nëntor, për gjithsej 35 ditë xhirimi.
Filmi “DUA” është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90, e frymëzuar nga përvojat personale të vetë regjisores.
Historia ndjek jetën e një adoleshenteje introverte që përpiqet të gjejë identitetin e saj në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore.
Në rolet kryesore shfaqen Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.
Ky projekt i ri pritet të sjellë një tjetër rrëfim të ndjeshëm dhe autentik nga Basholli, duke e vendosur sërish kinemanë kosovare në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. /A.Z/UBT News/