Zlatan Ibrahimovic nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta vazhdojë kontratë me Milanin edhe për një vit tjetër pasi ka thënë se po argëtohet në ndeshjet me Milanin dhe po ndihet si një futbollist i ri.
Sulmuesi suedez ishte njëri nga lojtarët më të mirë ne fushë në fitoren 3-0 kundër Genoas që i dha mundësinë Milanit të fitonte tri pikë të reja pas tri ndeshjeve pa fitore.
“Ne kishim bërë gabime që na kushtuan dy ndeshjet e mëparshme. Ishte i gjithë faji ynë, jo meritë e kundërshtarëve tanë, por ne fituam sot dhe mbetemi atje lart”, tha fillimisht Ibra pas ndeshjes për “Sky Sport”.
“Rossonerët” janë tani një pikë larg liderit Napoli, i cili barazoi 2-2 kundër Sassuolos në “Stadio Mapei”.
Milani kishte humbur dy ndeshjet e mëparshme kundër Fiorentinës dhe Sassuolos, ndërsa Stefano Pioli nënshkroi vazhdimin e kontratës me Milanin javën e kaluar.
“Tani më duhet të rinovoj edhe unë”, tha Ibra duke buzëqeshur.
“Jam i lumtur për të sepse e meriton, nëse ai rinovon, unë rinovoj. Pioli ka bërë një punë të shkëlqyer”.
A mund ta fitojë Milani Scudetton?
“Jam i lumtur për tifozët. Kaq vite nuk kanë shijuar siç po e shijojnë tani. Dua t’i bëj të lumtur, por nëse nuk fitojmë një trofe, nuk kemi bërë asgjë”.
Suedezi ka shënuar gjashtë gola në 12 paraqitje me kuqezinjtë këtë sezon.