Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës pas numërimit të një pjese të votave me postë dhe atyre nga përfaqësitë diplomatike.
Sipas rezultateve të deritanishme, VV-ja ka siguruar 45.89 për qind të votave, duke mbetur forca e parë politike në vend. Pas saj renditet PDK-ja me 19.96 për qind, LDK-ja me 17.04 për qind dhe AAK-ja me 6.89 për qind.
Në ndarjen aktuale të mandateve, Vetëvendosje ka 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 7 deputetë.
Megjithatë, procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar. Kanë mbetur pa u numëruar rreth 35 mijë zarfe me vota nga posta, si dhe afërsisht 11 mijë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Rezultatet e deritanishme kanë treguar trende të ndryshme. Në rezultatet preliminare pas zgjedhjeve të 7 qershorit, VV-ja kishte siguruar 42.96 për qind të votave, ndërsa në votimin në përfaqësitë diplomatike mori mbi 83 për qind dhe në votat me postë 70.26 për qind.
Sipas projeksioneve aktuale, ndryshime të mëdha në ndarjen e mandateve duken të vështira, megjithëse rezultati përfundimtar do të varet nga votat e mbetura për numërim.
Për formimin e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvend, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet kuorumi prej 80 deputetësh në dy raundet e para të votimit.
/A.K/
