UBT News

Pas largimit të ShBA-së, bisedimet afgane bien në duart e Iranit

Irani ka thënë se është duke shërbyer si vend pritës i bisedimeve mes një delegacioni afgan dhe përfaqësuesve të lartë të talibanëve.

Bisedimet e së mërkurës vijnë në kohën kur talibanët po vazhdojnë ta zgjerojnë territorin në zonat veriore pas tërheqjes së trupave amerikane nga shteti i rrënuar nga lufta.

Duke i hapur bisedimet në Teheran, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, e mirëpriti largimin e trupave amerikane nga Afganistani, por paralajmëroi: “Sot, populli dhe liderët politikë të Afganistanit duhet të marrin vendime të vështira për të ardhmen e vendit të tyre.”

Ai gjithashtu tha se bisedimet dhe zotimi për zgjidhje politike janë zgjedhjet më të mira për udhëheqësit dhe politikanët afganë, duke shtuar se Teherani është i gatshëm që të ofrojë ndihmë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Delegacioni i talibanëve po drejtohet nga Sher Mohammad Abbasss Stanekzai, anëtar i zyrës politike të këtij grupi në Doha të Katarit. Ai po e viziton Teheranin me ftesë zyrtare të këtij shteti, bëri të ditur zëdhënësi i talibanëve, Mohammad Naeem Wardak.

Delegacioni i talibanëve gjithashtu do të takohet me disa personalitete afgane në Iran për t’i shkëmbyer pikëpamjet rreth gjendjes së tanishme dhe për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve, raportoi mediumi afgan, AIP.

Avancimi i talibanëve ka shkaktuar shqetësime në vendet fqinje të Afganistanit, përfshirë Iranin, ku banojnë 3 milionë refugjatë afganë.


Exit mobile version