Jamie Lee Curtis ka fituar “Oscar”-in e saj të parë, duke shkuar një hap më tej se prindërit e saj, të cilët ishin të dy të nominuar për një çmim “Oscar”.
Aktorja e Hollywoodit, e cila është pasardhëse e yllit të “Psycho”, Janet Leigh dhe aktorit të “Some Like It Hot”, Tony Curtis, mori në shtëpi çmimin për ‘aktoren më të mirë në një rol dytësor’ për performancën në “Everything Everywhere All at Once”.
Gjatë fjalimit emocional, Curtis, 64-vjeçare, u sigurua që t’i kujtonte botës rrënjët e saj dhe faktin që prindërit e saj të ndjerë nuk arritën kurrë në podium.
“E di që duket sikur po qëndroj këtu vetëm, por nuk jam. Unë jam me qindra njerëz”, tha Curtis, përpara se përmendte kolegët nga filmi, duke shtuar: “Ne sapo fituam një Oscar”.
Në momentet përmbyllëse të fjalimit, Curtis tha: “Dhe nëna ime dhe babai im ishin të dy të nominuar për Oscar në kategori të ndryshme. Unë sapo fitova një Oscar”.
Leigh u nominua për ‘aktoren më të mirë në një rol dytësor’ në vitin 1960 për rolin e saj në “Psycho” të Alfred Hitchcock, ndërsa Tony Curtis mori një nominim në 1958 për ‘aktorin më të mirë në një rol kryesor’ për interpretimin në “The Defiant Ones”.
Michelle Yeoh ndërkaq u shpall ‘aktorja më e mirë’, kurse Brendan Fraser gjithashtu mori një çmim për ‘aktorin më të mirë’.
Filmi “Everything Everywhere All at Once” mori gjithsej shtatë çmime.