UBT News

Pas gjetjes së varrezës masive në Kalludër, zbulohet një tjetër në Jabukë të Zubin-Potokut

Pas zbulimit të një varreze masive në Kalludër të Zubin Potokut, është gjetur një tjetër vatër me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, kësaj radhe në fshatin Jabukë të së njëjtës komunë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve”, ka shkruar Sveçla.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka akuzuar Serbinë se po ruan të njëjtën linjë politike dhe qasje si gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Sipas tij, Beogradi zyrtar nuk po bashkëpunon për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, ndërsa ushtron presion dhe masa ndëshkuese ndaj qytetarëve serbë që ndihmojnë në lokalizimin e varrezave masive.

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë”, ka shkruar Sveçla.

Në vijim të deklaratës së tij, ai kërkoi reagim institucional dhe masa nga faktori ndërkombëtar ndaj veprimeve të Beogradit.

“Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkohë, në lokacionin paraprak në Kalludër të Vogël, ku u zbuluan mbetje mortore të martën, ekzistojnë dyshime se ndodhen trupat e 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”, të cilët u rrëmbyen më 19 prill 1999 dhe fati i të cilëve mbetet i pazbardhur prej 27 vitesh. Po ashtu, gjatë kësaj jave, autoritetet kanë arrestuar tre persona të dyshuar për krime lufte në zonën e Zubin-Potokut. /E.A/

 

Exit mobile version