UBT News

Pas gati 20 vjetësh, rihapet Muzeu i Vjetër i Akropolit në Athinë

Muzeu i Vjetër i Akropolit në Athinë është rihapur për publikun të hënën, pas pothuajse 20 vjetësh i mbyllur. Në ceremoninë e rihapjes mori pjesë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ndërtesa, e përfunduar në vitin 1874 dhe e vendosur pranë tempullit të Partenonit, në kodrën e Akropolit, ekspozon fragmente arkitekturore antike, oferta kushtimore, mbishkrime dhe më shumë se 800 artefakte nga Athina e lashtë.

“Ne e kemi riintegruar muzeun në strukturën e gjallë të sitit arkeologjik dhe të qytetit në tërësi”, deklaroi Mitsotakis gjatë ceremonisë.

Muzeu ishte ndërtesa e parë në shtetin modern grek e ndërtuar posaçërisht për të shërbyer si muze. Ai u mbyll në vitin 2007, kur koleksioni i tij u transferua në Muzeun e Ri të Akropolit, në rrëzë të kodrës. Pas mbylljes, ndërtesa u përdor pjesërisht për zyrat administrative të Akropolit dhe për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.

Pas modernizimit, muzeu përfshin edhe teknologjinë e inteligjencës artificiale, përmes së cilës vizitorëve u ofrohen mënyra të reja për të njohur botën e lashtë.

Ndër të tjera, vizitorët mund të shohin një rindërtim digjital të frizit të Partenonit, ku përfshihen edhe mermerët e Elginit, të cilët aktualisht ndodhen në Muzeun Britanik në Londër. Greqia prej shumë vitesh kërkon kthimin e tyre./A.K/

Exit mobile version