Pas Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar për aktin e Serbisë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku edhe një herë përmes veprimeve të turpshme ka përfshirë politikën me sport.
Kësaj radhe aktet vijnë jo vetëm nga tifozët por nga Kombëtarja e Serbisë në futboll, në ngjarjen më të madhe të futbollit që po zhvillohet, respektivisht në Kupën e Botës 2022.
Federata e Futbollit të Serbisë ka lejuar një flamur me ngjyrat serbe dhe me hartën e Republikës së Kosovës, i cili përçon mesazh urrejtje me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”, në zhveshtoret e Kombëtares së Serbisë para dhe pas ndeshjes së mbrëmshme me Brazilin.
“Është e turpshme se si udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Serbisë lejuan të shfaqin mesazhe të tilla urrejtje ksenofobike dhe gjenocidale ndaj një shteti me të drejta të barabarta në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe FIFA e UEFA”, shkruante në komunikatën e KOK-ut.
“Komiteti Olimpik i Kosovës në koordinim të plotë me Federatën e Futbollit të Kosovës, ka dërguar sot ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, anëtare e së cilës është, por edhe në FIFA, anëtare e së cilës është FFK, në mënyrë që të dyja të marrin veprime të menjëhershme ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, konform kartës olimpike dhe rregullave të FIFA-s”, shkruante më tej në komunikatë.
Sot ankesë drejt FIFA-s në lidhje me rastin në fjalë ka bërë edhe Federata e Futbollit të Kosovës.