Kompania spanjolle Zara ndryshoi imazhet e diskutueshme në faqen e saj mes thirrjeve nga aktivistët për të bojkotuar markën.
Më herët, Zara kishte shfaqur imazhe në faqen e saj që disa aktivistë pro-palestinezë thonë se duken sikur ishin të frymëzuar nga shkatërrimi i Rripit të Gazës që nga 7 tetori ku janë vrarë mbi 18,000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë.
Në një imazh në veçanti, një modele mban një figurë njerëzore të mbështjellë me të bardhë mbi supin e saj, që ngjason me qefinet që përdoren për të mbuluar të vdekurit. Pas saj, shihen copa muri të shkatërruara.
Imazhet e tjera tregojnë manekinëve që u mungojnë gjymtyrët.
Aktivistët, të goditur nga ngjashmëria e fotove me situatën kaotike në Gaza, ku njerëzit shihen teksa mbajnë kufoma, vërshuan burimet e mediave sociale të Zarës me mijëra mesazhe që bënin thirrje për bojkot. Përfundimisht, #BoycottZara ishte në trend në platformën X.
“Unë kam qenë një klient besnik prej kohësh për veshje dhe parfume. Jo më. Fushatë shumë e pakëndshme. Nuk mund të bashkohem me një kompani që nuk ka busull morale”, kishte shkruar një përdoruese e X.
“Qëllimisht festoni një gjenocid”, shkroi një tjetër përdorues i Instagramit.
Disa media të tjera raportojnë se Zara pretendon se e ka konceptuar dhe realizuar sesionin fotografik përpara datës 7 tetor.
Në rrjetet sociale, disa nga imazhet e fushatës mbeten, të shkrepura në studion e një artisti. Sipas Zarës, ata festojnë “angazhimin e markës ndaj mjeshtërisë dhe pasionin për shprehjen artistike”.
Kjo nuk është hera e parë që Zara kritikohet për çështjen e Palestinës./UBTNews/