Pas aksionit të hershëm të Prokurorisë dhe Policisë në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke dhënë sqarime mbi natyrën e hetimeve.
Sipas Ministrisë, njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në ARBK në kuadër të një rasti që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi, pas vdekjes së pronarit të tij.
Ministria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një lëshim që ishte identifikuar më parë nga vetë stafi i tyre. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në sqarimin e MINT-it, duke shtuar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit.
Ky reagim vjen si pasojë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka bastisur objektet e ARBK-së nën dyshimet për vepra të rënda penale.
Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, ku dyshohet se zyrtarët kanë manipuluar dokumentacionin zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve.
Në mbyllje të reagimit, Ministria ka siguruar qytetarët dhe bizneset se po punon me vëmendje të shtuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike. Ndërkohë, aksioni i Prokurorisë, i cili u realizua me urdhër të Gjykatës, është ende në zhvillim e sipër për grumbullimin e provave materiale që do të zbardhin plotësisht këtë rast.
