Të enjten deputetët ia mësyjnë Ministrisë së Infrastrukturës për kërkuar përgjegjësi për transportuesit e udhëtarëve
Anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë të enjten do të vizitojnë Ministrinë e Infrastrukturës në mënyrë që të informohen rreth kritereve që duhet t’i plotësojnë kompanitë e autobusëve.
Kjo pasi ky komision po vlerëson se pas mbledhjes së informatave mund të ndihmojnë me anë të rekomandimeve për shmangien e aksidenteve tragjike si ai i të dielës në Kroaci, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë e mbi 40 u lënduan.
Në mbledhjen e mbajtur sot, Komisioni mori vendim që të vizitojë Ministrinë e Infrastrukturës për të parë se sa po zbatohen kriteret, në mënyrë që pas kësaj të dalin me rekomandime për ministrinë përkatëse. Teksa u propozua që inspektorët të dalin në teren gjatë transportit të udhëtarëve për të monitoruar përmbushjen e kritereve ose jo.
Kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli tha se aksidenti i ndodhur në Kroaci është ngjarje e rëndë, porse ende nuk mund të konkludojnë asgjë për shkak që nuk ka ende ndonjë material zyrtar.
“Është shumë e vërtetë që ne nuk mund të konkludojmë për atë se çka ka ndodhur dhe pse ka ndodh aksidenti për shkak se akoma nuk e kemi rezultatin e hetimeve. […] Ne mund ta koordinojmë vizitën në ministri dhe pastaj mund të dakordohemi për hapat e mëtejmë, që janë avancimi i legjislacionit që u përmend këtu nga disa deputetë dhe po ashtu diskutimi në të ardhmen që te diskutojmë me kompanitë”, tha ajo.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj propozoi që në afat sa më të shkurtër të vizitohen edhe kompanitë turistike.
Ndërsa bashkëpartiaku i tij, Salih Zyba tha se vizita tek kompanitë do të ishte ndoshta veprim pak i ngutur, pasi fillimisht duhet të formohet një grup që të shkojë në Ministri të Infrastrukturës për të parë sesi qëndron puna e plotësimit të kritereve nga kompanitë e udhëtimit.
Edhe Ekrem Mustafa nga Lëvizja Vetëvendosje u pajtua se vizita në Ministrinë e Infrastrukturës është e nevojshme, teksa pati edhe një rekomandim për inspektorët.
“Ne duhet të bëjmë presion tek ta dhe t’iu kërkojmë inspektorëve që të dalin dhe gjatë transportit të udhëtarëve t’i kontrollojnë dhe t’i verifikojnë sepse ata e kanë një rend të udhëtimit dhe e specifikojnë sa shoferë duhet të jenë, a duhet të ketë një përcjellës me udhëtarë”, tha ai.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj po vlerëson se është fat në fatkeqësi që aksidenti tragjik i së dielës ka ndodhur në Kroaci dhe jo në Kosovë. Kjo pasi sipas saj, për shkak të shërbimeve të dobëta emergjente në vend, numri i viktimave do të ishte më i madh.
Ajo kërkoi nga institucionet shëndetësore përgjegjëse që të qëndrojnë pranë familjarëve të viktimave, e në veçanti fëmijëve, që të përballojnë me sa më pak situatën e vështirë në të cilën ndodhen.
Derisa theksoi se duhet që urgjentisht të ndryshohet sistemi emergjent në Kosovë.
Në këtë mbledhje u miratua në parim Projektligji për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve dhe ai për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja.