Andriy Shevchenko nuk do të jetë më trajner i Kombëtares së Ukrainës, pas një periudhe 5-vjeçare. Lajmi është bëri i ditur nga 44-vjeçari me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Ukraina bëri një paraqitje historike në Euro 2020, kur nën drejtimin e Shevchenko-s arriti deri në fazën çerekfinale.
Megjithatë, ish-sulmuesi i Milanit ka vendosur të mos e zgjasë më kontratën. Në rrjetet sociale, ai falënderon të gjithë personat që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij, por edhe kritikët.
“Sot, kontrata ime me Federatën e Futbollit të Ukrainës përfundoi. Kam kaluar pesë vjet me ekipin kombëtar. Ishte punë e vështirë, që dëshmoi se ne jemi të aftë të luajmë futboll modern. U jam mirënjohës presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv të Federatës për mundësinë që më dhanë për të punuar me ekipin kombëtar të Ukrainës. I jam mirënjohës çdo lojtari, çdo personi që ndihmoi dhe u përfshi në ekip. Shumë faleminderit të gjithë tifozëve për mbështetjen dhe kritikat e tyre. Së bashku arritëm të tregojmë se futbolli ynë mund të jetë konkurrues, produktiv dhe emocionues”, ka shkruar Sheva në rrjetet sociale.
Pak kohë më parë, ai shprehur dëshirën që një ditë të jetë në kryet të Milanit si trajner, aty ku shkëlqeu si lojtar.