Futbollisti i njohur kosovar, Shkelzen Lushtaku, ka vendosur të largohet nga klubi i futbollit ‘Drenica’, pas 23 viteve përkushtim ndaj sportit që e ka përcaktuar jetën e tij.
Përmes një postimi emocional, Lushtaku ka falënderuar klubin KF Drenica, të cilin e quan “pjesë e shpirtit tim”, duke kujtuar rrugëtimin nga hapat e parë në futboll deri tek titulli i fundit, me të cilin largohet nga fusha si kampion.
“Që nga ditët e rinisë sime, e deri më sot unë e kam jetuar këtë rrugëtim me pasion të sinqertë dhe dashuri të pakusht. Kam qenë krenar që isha pjesë e Drenicës, dhe sot largohem si një njeri i lumtur, sepse largohem si kampion!”, shkruan Lushtaku.
Ai nuk ka lënë pa falënderuar presidentët e klubit, bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët besnikë “Shqiponjat e Zeza”, duke theksuar se në ditët më të vështira të klubit ka dhënë gjithçka për ta çuar Drenicën në majë, me dinjitet e nder.
Një mirënjohje të veçantë ua ka dedikuar edhe emrave si Afrim Jashari, Tahir Lushtaku dhe Fadil Rama për mbështetjen e pakursyer, ndërsa falënderimet më të mëdha ia ka adresuar familjes që, siç thotë ai, “më qëndroi pranë në çdo moment dhe ishte gjithmonë forca ime më e madhe”.
Shkelzen Lushtaku paralajmëroi gjithashtu se së shpejti do të bëjë të ditur të ardhmen e tij profesionale.