UBT News

Pas 19 ditësh, rikthehet Superliga e Kosovës

Pas 19 ditësh pauzë, këtë të premte rikthehet aksioni në Superligën e Kosovës në futboll me ndeshjet e xhiros së tetë.

Kjo ishte pauza më e gjatë në kampionatin kosovar gjatë dekadës së fundit dhe erdhi si pasojë e grumbullimit të përfaqësueses së Kosovës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Xhiroja e tetë hapet me dy ndeshje. Në Podujevë, Llapi nga ora 14:00 pret Ballkanin, ndërsa në Gjilan, nga ora 18:00, Drita përballet me Malishevën.

Llapi vjen pas një forme të dobët, me vetëm një fitore në shtatë ndeshje. Skuadra e Tahir Batatinës pësoi humbje 4:0 nga Drenica në ndeshjen e fundit para pauzës.

“Besoj se na ka shërbyer për të mirë kjo pauzë, sepse janë kthyer nga lëndimet lojtarët dhe jemi të kompletuar si skuadër. Kishim pesë lojtarë të lënduar në fillim të kampionatit. Jemi gati”, ka thënë Batatina.

Edhe Ballkani nuk ka fituar në tri ndeshjet e fundit. Therandasit kanë humbur nga Malisheva dhe Gjilani, ndërsa kanë barazuar pa gola me Dukagjinin.

Ndërkohë, Malisheva renditet e dyta me 16 pikë, dy më pak se liderja Prishtina, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Megjithatë, skuadra ka mbetur pa trajner pas largimit të Thomas Brdariq, i cili u prezantua te një klub i kategorisë së dytë në Arabinë Saudite.

Në përballjen ndaj Dritës, Malisheva do të drejtohet nga ndihmësi i Brdariqit, Kastriot Rexha. Drita, kampionia në fuqi, në ndeshjen e fundit mposhti Dukagjinin.

Të shtunën zhvillohen dy ndeshje të tjera: Vushtrria – Gjilani nga ora 14:00 dhe Drenica – Feronikeli 74 nga ora 18:00.

Xhiroja mbyllet të dielën me duelin Prishtina – Dukagjini, që nis në ora 18:00.

Xhiroja e tetë:

E premte
Llapi – Ballkani (14:00)
Drita – Malisheva (18:00)

E shtunë
Vushtrria – Gjilani (14:00)
Drenica – Feronikeli 74 (18:00)

E diel
Prishtina – Dukagjini (18:00)

D.L

Exit mobile version