Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se ky dakordësim erdhi pas bisedimeve dhe përpjekjeve intenzive për të afruar qëndrimet politike.
Kurti shprehu falënderimet e tij për liderët e subjekteve politike në Luginë për gatishmërinë që të gjejnë gjuhën e përbashkët përtej dallimeve partiake. Kryetarët që i u bashkuan këtij koalicioni janë: Shaip Kamberi (PVD); Visar Memeti (APN); Nagip Arifi (PD); Agim Sabedini (PDSH); Shqiprim Musliu (LPD); Sami Salihu (LR); Armend Aliu (AL); Naser Aziri (UDSH)
Krahas bashkimit politik, Kryeministri Kurti ngriti edhe çështjen e përfaqësimit proporcional dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke e krahasuar atë me sistemin kushtetues të Kosovës.
“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë njësoj si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e pakicave. /E.A/
