Partitë politike në Kosovë duhet të deklarohen deri më 7 maj nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe nëse do të hyjnë në koalicione parazgjedhore.
Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 2 maj ka nisur edhe periudha për aplikimin për certifikimin e partive të reja, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për regjistrimin e partive të reja përfundon më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve mund të bëhet deri më 12 maj.
Deri tani, nuk ka indikacione se partitë e mëdha politike do të formojnë koalicione para zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 28 dhjetor, nga subjektet kryesore shqiptare vetëm Lëvizja Vetëvendosje kishte garuar në koalicion me parti më të vogla, përfshirë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.
Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi si planin e aktiviteteve ashtu edhe buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, i cili arrin në 10 milionë e 887 mijë euro.
Sipas këtij plani, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 07:00, kur edhe hapen vendvotimet.
Vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës pritet të merret më 5 maj, ndërsa më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.
Procesi i votimit përmes postës do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Një ditë para zgjedhjeve do të organizohet edhe votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ndërkohë, periudha për regjistrimin e votuesve nga diaspora është caktuar nga 6 deri më 17 maj.
Më 21 maj, KQZ-ja do të bëjë certifikimin e listës së votuesve, si për ata brenda vendit ashtu edhe për votuesit jashtë Kosovës.
