David Belliard, nënkryetari i bashkisë së Parisit, ka folur së fundi për negociatat me Qatar Sports Investments, grupi që zotëron skuadrën e Paris Saint-Germain, me synimin për të shitur stadiumin “Parku i princave”.
Ai ka bërë të ditur se janë duke punuar për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodh për shkak se ky stadium është pjesë e trashëgimisë kulturore të Parisit.
“Jemi në një lojë pokeri mes gënjeshtarëve. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në negociata, por unë nuk jam për shitjen e aseteve të rëndësishme për sektorin privat dhe në veçanti për Katarin. “Parku u princave” është një prej tyre. Duhet të kemi një numër të caktuar asetesh prestigji. “Parku i princave” nuk i përket Katarit, por parizienëve dhe të gjithë francezëve. Dua që të vazhdojë të jetë pjesë e trashëgimisë sonë”, ka komentuar ai duke folur për “RMC Sport”.
I njëjti medium shton se Paris Saint-Germain nuk do të dorëzohet në negociata, duke theksuar se është zhgënjyese të dish se Dhoma e Parisit dëshiron të largojë PSG-në dhe mbështetësit e saj nga ky stadium, duke mbrojtur gjithashtu se |Parku i princave” është një stadium me më shumë se 50 vjet në nevojë për një rinovim të plotë.
Duhet theksuar se skuadra pariziene tashmë ka kërcënuar të largohet nga stadiumi.