UBT News

Parisi feston në Londër, vendos goli i Dembeles

Është mbyllur ndeshja e parë e gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve të këtij edicioni.

Arsenali ishte nikoqir i PSG-së në “Emirates Stadium”, me parisienët që rikthehen në shtëpi me fitore. Të besuarit e Luis Enriques morën fitore të madhe në Londër, me shifrat prej 1-0, me gol të hershëm nga Ousmane Dembele. Francezi shënoi në minutën e katërt, pas një asistimi nga Khvicha Kvaratskhelias.

Në pjesën e parë, që i takoi PSG-së, ky i fundit kishte edhe një mundësi të mirë, përmes Desire Doues, por që David Raya e priti goditjen e tij.

Arsenali u tregua i rrezikshëm vetëm një herë në pjesën e parë, me Gabriel Martinellin, mirëpo Gianluigi Donnarumma ishte në krye të detyrës.

Me të filluar pjesa e dytë, Arsenali barazoi në 1-1, mirëpo goli i Mikel Merinos u anulua për pozitë jashtëloje.

“Topçinjtë” e patën iniciativën, duke krijuar raste por pa sukses. PSG-ja shpërdoroi dy mundësi të mira shënimi, një nga Bradley Barcola e Gonçalo Ramos.

Epilogu i takimit ishte 1-0 në të mirë të Parisit. Ndeshja e kthimit do të luhet pas tetë ditësh, më 7 maj në “Parc des Princes”.

 

 

 

Share Now

Exit mobile version