Futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë vendit vazhdojnë të spikatin me paraqitje të shkëlqyera nëpër kampionatet europiane, duke kontribuar me gola, asiste dhe paraqitje të shënuara me nota të larta nga specialistët.
Një nga më të dalluarit këtë fundjavë ishte Arbër Hoxha, sulmuesi i Kombëtares, i cili shkëlqeu në ndeshjen mes Dinamo Zagreb dhe Šibenik, që përfundoi me rezultatin 3-0. Hoxha u aktivizua në pjesën e dytë, ku shënoi një gol dhe dha një asist, duke luajtur një rol kyç në sigurimin e fitores për ekipin e tij. Për paraqitjen e tij të shkëlqyer, ai mori notën 8.2 nga sajtet e specializuara për statistika si Sofascore.
Po ashtu, Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares shqiptare, vazhdon të paraqitet në nivele të larta te ekipi i Atalantas. Ai dha një asist të bukur në fitoren 0-5 të skuadrës së tij ndaj Veronës, ku në minutën e 25-të shërbeu perfekt për Reteguin, i cili realizoi golin e dytë të takimit.
Edhe futbollistët e tjerë të Kombëtares shqiptare patën minuta të vlefshme në fushë gjatë ndeshjeve të fundjavës. Mes të tjerëve, Thomas Strakosha, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Ernest Muçi dhe Rey Manaj ishin titullarë dhe dhanë kontributin e tyre për skuadrat respektive.
Paraqitjet e këtyre futbollistëve vazhdojnë të dëshmojnë nivelin e lartë të talenteve shqiptare që luajnë në ligat europiane./UBTNews/