UBT News

​Parandalohet një rast kontrabande në Morinë, arrestohen dy persona

Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit F. M. (52) dhe B.L. (55) pasi gjatë kontrollit në automjetet e tyre në Morinë janë gjetur mallra kontrabandë në vlerë mbi gjysmë milionë euro.

Gjatë operacionit Tarifa, në dalje të Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L. dhe automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. M.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 telefona mobilë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L., u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë 930 kg.

Mallrat me vlerë rreth 54 milionë e 350 mijë lekë (562 mijë euro), u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./S.K/KP/

Exit mobile version