Presidenti i Ukrainës dha një paralajmërim të fortë, duke thënë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një akt agresioni kundër anëtarëve të NATO-s që në vitin e ardhshëm. Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten, Volodymyr Zelenskyy tha se sulmi mund të vijë nga Bjellorusia.
Zelensky përmendi Bjellorusinë si një trampolinë për një sulm të mundshëm në të ardhmen.
Sipas tij, Rusia po përgatit 15 divizione rreth 150 mijë trupa në drejtimin e Bjellorusisë. “Nuk jam i sigurt nëse do të sulmojnë Ukrainën, por do të sulmojnë. Ndoshta Ukrainën, ndoshta Poloninë, ndoshta vendet baltike”,- tha Zelenski.
Më herët këtë javë, Shërbimi Danez i Inteligjencës së Mbrojtjes dha një paralajmërim të ngjashëm, duke thënë se Rusia mund të gjejë mundësinë për të nisur një luftë në shkallë të gjerë në Evropë brenda pesë viteve.
Në fillim të vitit 2022, Rusia përdori Bjellorusinë si një trampolinë për pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës. Kjo u parapri nga lejimi i forcave të armatosura ruse nga Minsku për të zhvilluar “stërvitje ushtarake” disajavore, të cilat ishin një fasadë për pushtimin e planifikuar.
Më 24 shkurt, trupat ruse hynë në Ukrainë nga Bjellorusia, duke pushtuar menjëherë pjesët veriore të rajoneve të Kievit dhe Çernihivit.
Forcat ruse hynë në qytetet kryesore duke i mbajtur ato të pushtuara deri në fund të marsit. Sipas vlerësimeve të NATO-s, forca sulmuese që hyri në Ukrainë nga Bjellorusia kishte deri në 30 mijë trupa ruse.
Dhjetorin e kaluar, aleati i Putinit, Alexander Lukashenko, tha se vendi i tij po priste dhjetëra armë bërthamore ruse dhe do të përgatiste objekte për dislokimin e planifikuar të raketave më të reja balistike hipersonike të Moskës.