UBT News

Paralajmërohet grevë e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë më 1 shtator

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës kanë paralajmëruar grevë më 1 shtator 2026, nëse deri më 31 gusht nuk u paguhen pagat për punën e kryer gjatë muajit korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Sipas njoftimit të sindikatës, punëtorëve ende nuk u është realizuar pagesa për punën e kryer në muajin korrik.

“Pas diskutimit, të gjithë kryetarët e shoqatave u dakorduan që, nëse pagat e punëtorëve nuk janë në llogaritë e tyre bankare deri më 31.08.2026, nga data 1 shtator 2026 do të fillojë grevë e punëtorëve teknikë në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata ka theksuar se kërkesa e punëtorëve është e qartë: “Puna e kryer duhet të paguhet.”/A.K/

Exit mobile version