Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar një paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për ditën e sotme, pasi i gjithë territori i vendit pritet të përfshihet nga stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
Për shkak të shkarkimeve të fuqishme atmosferike, IHMK-ja ngre alarm për rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, të cilat mund të sjellin pasoja për njerëzit e kafshët, dëmtime në rrjetin elektrik e të telekomunikacionit, si dhe vatrat e zjarrit. Gjithashtu, reshjet e dendura mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta lokale, ndërsa breshëri dhe era e fortë rrezikojnë të dëmtojnë kulturat bujqësore, automjetet dhe pronat.
Në kuadër të kësaj situatë, institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet në ambiente të hapura, të mos strehohen nën pemë apo pranë shtyllave elektrike, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së makinave për shkak të rrugëve të rrëshqitshme dhe pamjes së kufizuar. Paralajmërimi mbetet në fuqi deri në mesnatë. /E.A/
