Në qytetin e bukur Asti, në Itali, u organizua këtë fundjavë parada e tretë shqiptare me titullin “Rrënjët e zemrës”, e cila solli në jetë një festë të gëzueshme me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare. Ky manifestim madhështor, i organizuar nga ASSO Albania Piemonte dhe Qendra Kulturore “Margarita Xhepa”, tërhoqi vëmendjen e dhjetra organizatave kulturore, artistike dhe arsimore nga shkollat shqipe në Itali.
Gjatë paradës, rrugët e Astit u mbushën me ngjyra kuqezi, ndërsa grupet folklorike nga zona të ndryshme të Shqipërisë, si dhe shqiptarë të tjerë që jetojnë e punojnë në qytete të tjera të Italisë, e dhanë shpirtin e tyre nëpërmjet traditës, duke festuar identitetin e tyre kombëtar dhe lidhjen me vendin e origjinës. Kjo ngjarje shërbeu si një urë lidhjeje për shqiptarët jashtë atdheut, duke nxitur krenarinë dhe dashurinë për kulturën shqiptare./UBTNews/