Muaji qershor është duke u afruar, kur edhe Përfaqësuesja e Kosovës do të fillojë rrugëtimin për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian Euro 2024.
Kosova do të zhvillojë katër ndeshje që nga data 2 qershor deri më 12 qershor, ku dy prej tyre i luan si vendas kundër Greqisë dhe Irlandës Veriore, kurse dy sosh si mysafirë kundër Qipros dhe Greqisë.
Me këtë rast, tifo-grupi “Dardanët” kanë një mesazh për Kombëtaren tonë, ku kanë kërkuar vetëm kualifikim tutje nga ky edicion i Ligës së Kombeve.
Po ashtu, ata treguan se një pjesë të biletave do të shiten përmes tyre, e cila do të shpërndahet përmes koordinatorëve të tyre nëpër qytete të ndryshme të vendit ku janë të pozicionuar ata.
Postimin e “Dardanëve” në “Facebook” e gjeni më poshtë.
“Me afrimin e ndeshjeve të kombëtares, fillon të ndjehet atmosfera dardane kudo. Tashmë i vetmi cak që duam nga kombëtarja jonë është sigurimi i kualifikimit në Euro 2024 përmes edicionit të sivjem të Ligës së Kombëve. Çdo cak tjetër është i pamjaftueshëm.
Dardanët do të jenë në përkrahje të plotë të ekipit tonë kombëtar në ndeshjet që do të luhen në qershor. Po ashtu ju njoftojmë se shumë shpejt do të dalin në shitje biletat, kurse ne si tifogrup posedojmë një sasi të tyre, e cila do të shpërndahet përmes koordinatorëve tanë nëpër qytete të ndryshme të vendit ku janë të pozicionuar ata.
Dhe, si përfundim, ju njoftojmë se në dy ndeshjet që do të luhen në stadiumin ”Fadil Vokrri”, ato përballë Greqisë më 5 qershor dhe Irlandës së Veriut më 9 qershor, ne do të rikthehemi te tribunën që na takon, në veri të stadiumit, ku nuk do të mungojnë edhe koreografitë, si dhe atmosfera e ngrohtë si zakonisht.
Të gjithë shkojnë e vijnë, Dardanët do të mbesin përherë lojtari i 12-të, ai besnik i Kosovës.
Përpara bijtë e Dardanisë!”, shkruante në postimin e “Dardanëve”.
Kosova do ta fillojë aventurën drejt kualifikimit në Evropianin Euro 2024 më 2 qershor, ku zhvillon ndeshje si mysafire kundër Qipros, kurse tre ditë më vonë e pret në shtëpi, në stadiumin “Fadil Vokrri” Kombëtaren e Greqisë.