UBT News

Papunësia në Kosovë, rezultat i të pakualifikuarve

Foto: Wikimedia Commons/Arben Llapashtica

Bizneset e Kosovës janë në krizë pasi dhjetëra të rinj ikin çdo ditë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ata janë në kërkim të një perspektivë më të mirë, por tregu vendas ka mbetur pa krah pune.

Shqetësimi kryesor është në gjetjen e punëtoreve të kualifikuar.

“Kjo vërehet në bazë të konkurseve që ne i hapim dhe çdo vit po ulet numri i konkurrentëve dhe çdo vit dhe aty vërehet mangësia e fuqisë punëtore”, thotë Trëndafile Salihu nga Meister Training Center.

Nje rrezik të tillë e kane paralajmëruar edhe organizatat që trajtojnë çështjen e migrimit. Megjithatë, sipas agjencisë së punësimit të Kosovës, situata është krejt ndryshe.

“Agjencia e punësimit ka të regjistruar mbi 80 mijë punëkërkues në të gjitha zyrat e punësimit. Të gjithë ata janë punëkërkues aktivë të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë. Kemi edhe punëkërkues të kualifikuar”, tha  Shpëtim Kalludra nga Agjencia Kosovare e Punësimit.

Sipas tyre për gjithë këta punëkërkues në nivel vendi aktualisht agjencia ka në dispozicion pak më shumë se 10 mijë vende pune.

Megjithatë, bizneset thonë se e kanë të vështirë të bashkëpunojnë me shtetin, duke thënë se kjo agjenci nuk ofron punëtorë në profilet që ata kërkojnë.

Të papunët, sytë drejt BE-së   

Mungesën e punëtorëve të kualifikuar e pranojnë edhe organizatat që trajtojnë çështjet e papunësisë.

“Kosovës i mungon fuqia punëtore që ka kapacitet profesional sipas kërkesave të tregut të punës. Pra, e gjithë fuqia punëtore është me shkollim formal, që nuk është relevant në kërkesat e vërteta të tregut”, thotë Rinor Qehaja nga Ed Guard.

Nga Agjencia e Punësimit thonë se problemi real është se në shumicën e rasteve, vetë të papunët, nuk kanë pikësynim që të punësohen në Kosovë.

Ekspertët thonë se mekanizmi i vetëm për ndaljen e ikjes së fuqisë punëtore nga Kosova, shihet afrimi i bizneseve të huaja, si dhe orientimi i rinisë drejt profesioneve, që nga bankat e shkollës./Euronews.al

Exit mobile version