Papa Leoni XIV e nis të premten një vizitë katërditore në Francë, e para e një pape në këtë vend në 18 vjet, ndërsa momenti kryesor do të jetë mesha e madhe të shtunën në qendër të Parisit, ku pritet të marrin pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz.
Presidenti Emmanuel Macron e priti Papën në aeroportin “Orly” të premten në mëngjes. Më vonë, ai pritet të zhvillojë bisedime me të në Pallatin Élysée për çështje gjeopolitike dhe inteligjencën artificiale. Macron dhe Papa do të mbajnë gjithashtu një fjalim të përbashkët në Metz, raporton BBC.
Megjithatë, presidenti nuk do të marrë pjesë në asnjë nga meshat e Papës, kryesisht për të respektuar ndarjen e rreptë të shtetit nga feja në Francë. Në meshën në Champs-Élysées do të marrin pjesë bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, dhe kryeministri Sébastien Lecornu. Aty pritet të jenë edhe disa kandidatë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes tyre Marine Le Pen, Edouard Philippe, Gabriel Attal dhe Bruno Retailleau.
Vizita është shoqëruar edhe me raportime për tensione mes Macronit dhe ekipit të Vatikanit që u angazhua për organizimin e saj. Sipas këtyre raportimeve, presidenti francez ishte i pakënaqur me kufizimin e karakterit ceremonial të vizitës. /E.A/
