UBT News

Panjshiri vazhdon të sfidojë talibanët

Talibanët thonë se kanë rrethuar krahinën e fundit që i reziston kontrollit të tyre, Luginën Panjshir të Afganistanit, por milicitë vendase dhe ish-ushtarët e ushtrisë afgane nuk e kanë pranuar këtë dhe thonë se nuk do të dorëzohen kurrë.

Secila palë ka thënë se ka shkaktuar viktima të mëdha, por BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë këto pretendime.

Një burim ka thënë se njerëzit në luginën 100 kilometërshe janë duke u mobilizuar për të luftuar kundër talibanëve, përcjell Klankosova.tv

“Nga gruaja në burrë, nga fëmijët te pleqtë, ata janë gati të luftojnë. Të gjithë janë luftëtarë, të gjithë po luftojnë, të gjithë janë gati të luftojnë kundër talibanëve”, ka thënë burimi.

Lugina e largët me një hyrje të ngushtë është pak më shumë se 48 kilometera nga kryeqyteti. Është i mbrojtur nga majat e larta malore, të cilat janë një barrierë natyrore imponuese dhe ofrojnë mbrojtje për njerëzit që jetojnë atje.

Ajo ka një histori të gjatë të rezistencës që ka qenë një fortesë kundër forcave sovjetike në vitet 1980 dhe talibanëve në vitet ’90.

Është e vetmja provincë që kundërshton grupin islamik, megjithëse ka pasur gjithashtu luftime në krahinën fqinje Baghlan midis talibanëve dhe milicive vendase.

Ndërkaq njeriu që po drejton forcat anti-talibane të luginës është, Ahmad Massoud, një 32-vjeçar i diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst dhe i biri i komandantit legjendar të rezistencës, Ahmad Shah Massoud.

Babai i tij, i njohur si “luani i Panjshir”, mbronte rajonin nga pushtimi sovjetik në vitet 1980 dhe regjimi taliban në vitet ’90. Ai u vra nga një skuadër vetëvrasëse e Al Kaedës në vitin 2001, kur Ahmad Massoud ishte adoleshent.

Ahmad Massoud, ka themeluar Frontin e Rezistencës Kombëtare anti-talibanë (NRF) muajin e kaluar.

“Unë do të preferoja të vdisja sesa të dorëzohesha. Unë jam djali i Ahmad Shah Massoud. Dorëzimi nuk është një fjalë në fjalorin tim”, ka thënë Massoud në intervistën e tij të parë që kur talibanët morën Kabulin.

Ai tani drejton disa mijëra anëtarë të milicive lokale dhe mbetje të njësive të ushtrisë. Ndërkaq ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar në luftimin e talibanëve, pas tërheqjes së ushtrisë amerikane.

Exit mobile version