UBT News

Panairi “Prishtina 2022”, Hajdari thotë se Kosova ka potenciale të mëdha për zhvillim ekonomik

Është hapur sot Panairi i Përgjithshëm “Prishtina 2022”, i cili po vlerësohet të jetë mundësi e mirë për promovimin e prodhimeve nga ana e kompanive.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari para afaristëve theksoi se si qeveri janë duke bërë reforma të ndryshme për të krijuar më shumë siguri për investime në Kosovë.

Ajo theksoi po ashtu se Kosova është vend i pasur me potenciale të mëdha për zhvillim ekonomik.

“E di që nevojat për sektorin provat janë të mëdha, dhe në këtë drejtim ne po punojmë si qeveri. Për reforma për të sjellë më shumë siguri për investime në Kosovë”, tha ajo.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi e quajti këtë një panair të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.

“Është një normalitet i ri i rikthimit të panairit pas pandemisë COVID-19. Rreth 100 kompani po marrin pjesë në këtë panair”, tha Rukiqi.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi theksoi se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë arritur vlerën rreth 420 milionë euro.

Panairi i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës mbetet i hapur deri më 8 maj në Qendrën e Panaireve në Shkabaj.

Exit mobile version