Në një atmosferë që ndërthurte traditën, inovacionin dhe bashkëpunimin profesional, në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren u mbajt edicioni i radhës i “Panairit të Ushqimit”, organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Ky aktivitet, që tashmë është shndërruar në një platformë të rëndësishme akademike dhe profesionale, mblodhi studentë, profesorë, ekspertë të industrisë ushqimore, përfaqësues institucionesh dhe biznese vendore e ndërkombëtare.
Në prani të Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Furkan Bytyç, kryetarit të Shoqatës ESNAF, Varis Xhejlani, dekanit të Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, Fidan Feka, përfaqësuesve të industrisë dhe stafit akademik, panairi dëshmoi edhe një herë rolin që UBT po luan në ndërlidhjen e dijes me praktikën dhe tregun e punës.
Studentët prezantuan produkte ushqimore tradicionale dhe inovative, të realizuara përmes punës praktike në laboratorët modernë të UBT-së, duke demonstruar njohuritë profesionale dhe kreativitetin e tyre në fushën e teknologjisë ushqimore dhe bioteknologjisë. Vizitorët patën mundësi të shijojnë produkte të ndryshme, të njihen me teknikat moderne të përpunimit ushqimor dhe të shohin nga afër standardet profesionale që po ndërtohen në këtë program studimi.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e cilësoi këtë aktivitet si një organizim natyrshëm të ndërtuar mes universitetit, komunës dhe industrisë.
“Ky është një organizim organik. Edhe komuna, edhe industria, edhe ne po bashkohemi natyrshëm sepse e dimë rëndësinë që ka zhvillimi i kësaj fushe. Është krijuar një format shumë i mirë, sidomos me ardhjen e kompanive të ndryshme këtu. Ia vlen të kemi një momentum të tillë dhe shpresoj që në vitet e ardhshme të na bashkëngjiten edhe më shumë qytetarë. Prizreni dhe i gjithë rajoni janë konfirmim i traditës dhe zhvillimit në industrinë ushqimore”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës së UBT-së në Prizren, Vehbi Sofiu, theksoi se panairi tashmë është bërë pjesë tradicionale e aktiviteteve akademike në këtë qendër.
“Ky është viti i katërt që ky panair organizohet dhe tashmë është shndërruar në një ngjarje tradicionale, e cila po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha në lidhjen e shkencës, njohurive profesionale dhe industrisë”, u shpreh ai.
Drejtori i Institutit të Forenzikës në UBT, profesori Cengiz Cesko, vlerësoi zhvillimin që ka marrë aktiviteti ndër vite.
“Sot po dëshmojmë rritjen e një ideje dhe të një emri. Kur kemi filluar, gjithçka ishte më e thjeshtë dhe më modeste. Tash ky është një aktivitet gjithnjë në rritje falë punës dhe angazhimit të secilit student. Është një aktivitet ku bashkohen shkenca, dija, praktika dhe teoria”, deklaroi ai.
Panairi përfshiu gjithashtu prezantime nga kompani të industrisë ushqimore, takime networking ndërmjet studentëve dhe sektorit privat, shpërndarje të certifikatave dhe diskutime mbi trendet moderne në teknologjinë ushqimore, sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen e shëndetshme.
