Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.
Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.
Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.
Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.
Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/
