Shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar një takim lamtumirës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në qendër të këtij takimi ishte kriza politike në vend, me ç’rast diplomatja e BE-së ia ka përcjellë kreut të ekzekutivit në detyrë kërkesën e prerë të Brukselit për zhbllokimin e situatës dhe ngritjen e menjëhershme të institucioneve të reja.
Përmes një njoftimi zyrtar pas takimit, Zyra e BE-së në Kosovë bëri me dije se Palatova ka nënvizuar rëndësinë e reformave dhe shfrytëzimit të mbështetjes financiare evropiane.
“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE. BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ky takim vjen në një kohë kur opozita po zhvillon protesta para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar po ashtu vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.
