Pakistani ka bombarduar caqe qeveritare në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, si dhe në Kandahar, ku është e vendosur udhëheqja talibane, thanë zyrtarë nga të dyja vendet të premten, ndërsa ministri pakistanez i Mbrojtjes e cilësoi konfliktin si “luftë të hapur”.
Sulmet ajrore pakistaneze shënojnë herën e parë që Islamabadi ka vënë në shënjestër drejtpërdrejt instalime të talibanëve, e jo militantë që pretendohet se mbështeten prej tyre, duke sinjalizuar një përçarje të thellë në marrëdhëniet mes dy fqinjëve islamikë, dikur aleatë të afërt.
Burime të sigurisë në Pakistan thanë se sulmet përfshinë raketa ajër-tokë ndaj zyrave dhe pikave ushtarake talibane në Kabul, Kandahar, si dhe në provincën Paktia. Gjithashtu, janë raportuar përleshje tokësore në disa sektorë përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Talibanët thanë se kanë nisur sulme hakmarrëse ndaj objekteve ushtarake pakistaneze.
Të dyja palët raportuan humbje të mëdha, duke dhënë shifra dukshëm të ndryshme, të cilat Reuters nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
“Durimit tonë i ka ardhur fundi. Tani është luftë e hapur mes nesh dhe jush (Afganistanit)”, deklaroi ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif. /Reuters/
