UBT News

Pakistani mohon sulmin në Kabull, Talibanët raportojnë mbi 400 të vrarë

Mbi 400 persona janë vrarë dhe 250 të tjerë janë lënduar nga një sulm ajror i Pakistanit mbi një spital të rehabilitimit nga droga në Kabul, ka deklaruar të martën një zëdhënës i qeverisë së Talibanëve afganë. Siç raporton Reuters, kjo ngjarje shënon një eskalim të ashpër të konfliktit mes dy vendeve fqinje.

Pakistani e ka hedhur poshtë këtë pretendim si të rremë dhe mashtrues, duke deklaruar se mbrëmjen e së hënës ka “shënjestruar me precizitet instalimet ushtarake dhe infrastrukturën mbështetëse të terroristëve”. Ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, përmes një postimi në rrjetin social X, tha se shpërthimet dytësore pas sulmeve “tregojnë qartë praninë e depove të mëdha të municionit”.

Ky sulm erdhi vetëm pak orë pasi Kina u shpreh e gatshme të vazhdonte përpjekjet për uljen e tensioneve, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shmangin zgjerimin e luftës dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve. Konflikti, i cili nisi muajin e kaluar, vlerësohet si më i rëndi i ndodhur ndonjëherë mes këtyre dy vendeve që ndajnë një kufi prej 2,600 kilometrash.

Dëshmitë e të mbijetuarve: “Ishte si dita e kiametit”

Në vendngjarje, pamjet tregojnë ndërtesa të shkatërruara dhe të mbuluara nga flakët. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane, Abdul Mateen Qanie, specifikoi se numri i të vdekurve ka arritur në 408, ndërsa 265 janë plagosur. Ndonëse autoritetet afgane thanë se viktimat janë dërguar në spitalet e Kabulit, ato nuk dhanë detaje se si është bërë numërimi i saktë i tyre.

Dëshmitarët rrëfyen se tri bomba shpërthyen sapo njerëzit në spital po përfundonin lutjet e mbrëmjes. “I gjithë vendi u përfshi nga zjarri. Ishte si dita e kiametit,” tha Ahmad, 50-vjeçar, i cili po trajtohej në këtë qendër. “Shokët e mi po digjeshin në zjarr dhe ne nuk mundëm t’i shpëtonim të gjithë.”

Shoferi i ambulancës, Haji Fahim, i tha Reuters-it se kur kishte arritur në vendngjarje çdo gjë ishte në flakë. “Në mëngjes më thirrën sërish të kthehem, sepse ka ende trupa nën rrënoja,” u shpreh ai.

Exit mobile version