Suedia, ndoqi shembullin e Finlandës dhe aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në NATO.
Zyrtarët e lartë, ekspertët dhe publiku në Suedi po bëhen gjithnjë e më të pakëndshëm nga “vendimi i nxituar” i vendit nordik për t’u bashkuar me NATO-n pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Një person i tillë është edhe Thomas Jonter, drejtor i Shkollës së diplomuar të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Stokholmit.
“Unë mendoj se ka një arsye që njerëzit janë të shqetësuar për këtë proces shumë të shpejtë, sepse është e qartë nga qeveria se ne duhet të ecim shpejt, se duhet të ndjekim Finlandën dhe shumë besojnë se nuk është absolutisht e saktë të thuhet”, tha Jonter, i cili është gjithashtu profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Shumë ish-zyrtarë të qeverisë janë të mendimit se Suedia mund të kishte pritur më shumë dhe ta analizonte situatën më mirë, tha ai.
Anëtarësimi në NATO do të nënkuptonte fundin e 200 viteve të mosangazhimit ushtarak për Suedinë.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson paralajmëroi më herët se vendi i saj mund të jetë në një “pozitë të cenueshme” gjatë periudhës së aplikimit, kur NATO nuk është e detyruar të mbrojë anëtarët e saj potencialë.
Ajo i bëri thirrje publikut suedez që të përgatitet për përgjigjen e Rusisë.
“Rusia ka thënë se do të marrë kundërmasa nëse bashkohemi me NATO-n, nuk mund të përjashtojmë që Suedia të ekspozohet, për shembull, ndaj dezinformatave dhe përpjekjeve për të na frikësuar dhe përçarë”, tha kryeministrja. /UBTNews/