UBT News

​Pakënaqësi në kampin e Realit pas fitores ndaj Getafes

Endrick ka shkaktuar polemika në kampin e Real Madridit pas fitores 1-0 ndaj Getafes në stadiumin “Coliseum Alfonso Pérez”.

Sulmuesi brazilian ishte duke u ngrohur për t’u futur në lojë, por Xabi Alonso vendosi të mos e aktivizojë, gjë që e zemëroi 18-vjeçarin.

Sipas “Cadena Ser”, Endrick reagoi me nervozizëm duke goditur me shqelm një shishe në zonën e ngrohjes, gjë që nuk i ka pëlqyer trajnerit. Në vend të tij, Alonso vendosi të fusë në lojë Brahim Díaz dhe Gonzalo García, i cili luan në të njëjtin pozicion si braziliani.

Endrick nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon, edhe pse është ftuar në gjashtë ndeshje radhazi. Lëndimi që pësoi në fund të sezonit të kaluar e pengoi në fillim, por tani që është rikuperuar, vazhdon të mbetet jashtë planeve të trajnerit.

Ndeshja e fundit e tij me Real Madridin daton pesë muaj më parë, kundër Sevillas. Për momentin, duket se braziliani duhet të presë ende për të fituar besimin e Xabi Alonsos./S.K/KP/

Exit mobile version