UBT News

OVL-UÇK reagon pas punimit të Bashës: E papranueshme që Kuvendi të drejtohet nga fyesi i UÇK-s

Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas publikimeve të punimit të Dimal Bashës në të cilin ai si bashkëautor me Jana Arsovska kanë hedhur pretendimet mbi lidhjet e UÇK-së me kriminelë shqiptarë jashtë dhe brenda Kosovës.

“OVL e UÇK-së shpreh indinjatën e thellë për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë”, thuhet në reagim.

Tutje, OVL-UÇK thotë se është e papranueshme që Basha të jetë në krye të Kuvendit.

“Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe Dëshmorët tanë.Këtu lind pyetja për deputetët që e votuan këtë kandidat, përtej Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet tutje në komunikatë.

OVL-UÇK e cilëson si njollë të Kuvendit të Kosovës dhe goditje të drejtpërdrejtë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

“Ky akt është një njollë e rëndë mbi dinjitetin e Kuvendit të Kosovës dhe një goditje e drejtpërdrejtë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.OVL UÇK do të mbetet gjithmonë në mbrojtje të UÇK-së dhe të vlerave të saj. Ne nuk do të lejojmë që historia jonë të tjetërsohet e as të përlyhet nga individë të tillë”, përfundon komunikata e OVL-UÇK.

Exit mobile version