UBT News

OVL-UÇK reagon pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit: Të hetohen rrjetet e mundshme të spiunazhit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar publikisht lidhur me aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh në favor të Serbisë. OVL-UÇK ka kërkuar që ky rast të mos trajtohet thjesht si një përgjegjësi individuale, por si një çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare.

Përmes një komunikate për medie, organizata theksoi se duke respektuar prezumimin e pafajësisë, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të gjurmojnë çdo kontakt, lidhje financiare apo komunikim të mundshëm për të parë nëse ekzistojnë rrjete më të gjera të bashkëpunimit me shërbimin BIA të Serbisë.

“Akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Gjithashtu, nga OVL-UÇK kanë kërkuar që organet kompetente të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente serbe kanë grumbulluar apo përcjellë materiale që lidhen me luftën e UÇK-së me qëllim të manipulimit apo shfrytëzimit të tyre në procese politike e gjyqësore.“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt,” përmbyll reagimin kjo organizatë. /E.A/

Exit mobile version